450 të shtruar në spitale, 38 në terapi intensive

24 orët e fundit shënuan sërish shifra të larta të pandemisë në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raportoi për 14 jetë të tjera të humbura në 4 spitalet covid në vend.

Tre nga viktimat janë nga Tirana, 2 nga Elbasani, 2 nga Fieri, 2 nga Berati dhe 2 nga Vlora, ndërsa të tjerët i përkasin Hasit, Kavajës dhe Gramshit. Me rastet e fundit shkon në 936 numri i viktimave në vend që nga nisja e pandemisë.

Një shifër të lartë shënuan sërish edhe të infektuarit e rinj. Nga 2532 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 753 qytetarë. Numri më i madh i të infektuarve është sërish në Tiranë me 431 raste të reja, ndjekur nga Berati me 49, më pas vijnë Durrësi dhe Lezha.

Shqetësuese janë edhe shtrimet në 4 spitalet COVID ku po trajtohen 450 pacientë, 38 ndodhen në terapi intensive dhe 11 janë të intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 347 qytetarë duke e çuar në total numrin e tyre në 22.527 qysh prej fillimit të pandemisë.

Gjithsesi janë ende rreth 21 mijë persona të prekur nga koronavirusi ende aktivë në vend ku më shumë se gjysma e tyre i përkasin kryeqytetit.

Tv Klan