Një ngjarje e rëndë raportohet mëngjesin e kësaj të mërkure në një shkollë fillore në Beograd të Serbisë.

Mediat vendase shkruajnë se të paktën 9 persona kanë mbetur të vrarë, pasi një 14-vjeçar i identifikuar si Kosta K. hapi zjarr në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, rreth orës 08:40. Novosti shkruan se viktimë nga të shtënat ka mbetur roja i shkollës dhe 8 fëmijë.

Autoritetet policore kanë ndaluar 14-vjeçarin i cili dyshohet se ishte nën efektin e drogës. Ai dyshohet se qëlloi disa herë me armën e të atit.

Gjithnjë sipas asaj që shkruajnë mediat serbe, nga ngjarja ka edhe të paktën 15 persona të plagosur, disa në gjendje të rëndë për jetën.

Ende nuk dihen zyrtarisht shkaqet e kësaj tragjedie që nuk mbahet mend të ketë ndodhur më parë në Serbi. Në mediat serbe flitet se 14-vjeçari bullizohej nga bashkëmoshatarët dhe kjo e kishte bërë atë një person të mbyllur në vetvete. Qeveria serbe shpalli 3 ditë zie kombëtare, ndërsa mësimi në shkollat e ciklit të ulët në Serbi u pezullua për sot.

Ndërkohë, kreu i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, Millan Nedelkoviç, tha për mediat se nxënësi e kishte futur armën në çantën e shpinës dhe se kishte hapur zjarr në korridorin e shkollës. Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

Në vendngjarje shkuan Ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiç dhe Ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç. Një reagim pati edhe sindikata e Punëtorëve të Arsimit në Serbi që u shpreh se tragjedia në shkollën fillore është ‘dëshmi se jetojmë në kushte ekstreme dhune’./tvklan.al