Si gjithë moshatarët e tij, Finley merr një tortë për të festuar ditëlindjen e tij por s’mundet ta hajë kurrë, as atë dhe as ndonjë ushqim tjetër. Nëse e bën, pëson hemorragji.
Sistemi tretës i 14-vjeçarit nuk i toleron lipidet, yndyrnat që gjenden te ushqimet ndaj atij i injektohen direkt në zemër.
Trajtimi është një proces që zgjat 6 orë dhe Finley i nënshtrohet çdo javë që prej moshës 4-vjeçare, ndërsa prej vitit të kaluar e bën dy herë në javë.

Gjendja e tij është kaq e rrallë sa mjekët po mendojnë t’ia prezantojnë ndonjë reviste mjekësore pasi besojnë se mund të jetë ndër të paktët njerëz, organizmi i të cilit reagon kështu ndaj lipideve.
Mjeku i cili e ka ndjekur adoleshentin që prej momentit që erdhi në jetë, Manas Datta kujton se ishte “e tmershme” të shihje si trupi i tij reagonte ndaj ushqimit.
“Edhe kur ishte me qumësht gjiri”, tha Datta për BBC. “Nuk e kishim parë kurrë këtë lloj rasti më parë, më kujtohen ditët kur ai vinte shumë i sëmurë në spital”.
Finley u është nënshtruar 20 operacioneve në një spital në Londër pasi mjekët janë përpjekur të kuptojnë problemin e tij dhe si ta trajtojnë. Ai ka gjithashtu edhe spektrin e autizmit, por shprehet se pamja dhe aroma e ushqimit nuk i ngjallin uri apo t’i duket sikur s’po e shijon dot.
“Di vetëm të marr ushqimin, ndaj thjesht i shoh të tjerët kur hanë dhe nuk më bezdis”, shton ai.

14-vjeçari merr një serum me lipide përmes një tubi që i përshkon kraharorin dhe lidhet me venën qendrore të zemrës.
“Duhet të anashkalojmë plotësisht sistemin tretës”, thotë mjeku. “Jo vetëm yndyrnat, por ai nuk i toleron dot as karbohidratet normale dhe proteinat”.
Finley merr karbohidrate, proteina, vitamina, minerale dhe elektrolitë tri herë në ditë përmes një tubi tjetër në stomak.
“Nuk e mbaj mend kur kam bërë serum për herë të parë sepse kjo është jeta ime tani dhe nuk kam rrugëdalje”, thotë ai. Sëmundja e tij nuk ka një emër shkencor.
Mjekët shpresojnë që me kalimin e kohës ai të mund t’i marrë serumet në shtëpi në vend që të shkojë në spital dy herë në javë. Finley po planifikon që të zbresë me litar nga një kullë në spitalin Southend më 17 maj për të mbledhur para për një shoqatë bamirësie./tvklan.al