Një 14-vjeçar në Alabama të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rrëfeu vrasjen e 5 anëtarëve të familjes së tij.

Sipas mediave atje, adoleshenti i mori jetën të atit, John Sisk, 38-vjeç, njerkës Mary, 35-vjeçe, dy vëllezërve, njëri 6 vjeç, ndërsa tjetri 6 muajsh, si dhe motrës 5-vjeçare.

3 prej tyre u gjetën të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa 2 të tjerë humbën jetën në spital.

Policia thotë se djali, emri i të cilit nuk është bërë publik, po bashkëpunon me hetuesit.

Sipas asaj që shkruan BBC, deri më tani nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarjeje, apo se ku e gjeti 14-vjeçari armën e përdorur për vrasjet. Ngjarja e rëndë ndodhi orët e vona të së hënës në qytezën e Elkmont.

Dhuna nga armët është kthyer në një fenomen të zakonshëm tashmë në SHBA. Të dhënat flasin për rreth 300 masakra vetëm përgjatë këtij viti.

7 persona u vranë në fundjavë në Texas. I dyshuar për ngjarjen është një 36-vjeçar, i cili kohët e fundit ishte pushuar nga puna.

Muajin e shkuar, në dy ngjarje të ndryshme në El Paso dhe Dayton, 31 persona mbetën të vrarë./tvklan.al