Putin fton Lukashenkon të vizitojë Moskën

140 protestues ranë në prangat e policëve të Lukashenkos, gjatë manifestimit të madh të së dielës në Minsk.

Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës mbushën sërish sheshin e madh të Pavarësisë, për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 Gushtit, ku Aleksandër Lukashenko fitoi një tjetër mandat 4-vjeçar në krye të vendit, pas 26 vitesh në pushtet të pandërprerë.

Gjatë manifestimeve pati përleshje mes protestuesve dhe forcave speciale që kishin ngritur kordon në shumicën e rrugëve që të lidhnin me protestën.

Një dekret i Lukashenkos dy javë më parë shpalli të jashtëligjshme protestat e opozitës pas përleshjeve që shoqëruan tubimet anti-Lukashenko të opozitës që ditën e parë pas zgjedhjeve presidenciale.

Edhe pse u shoqërua me protesta masive kundër tij, e diela ishte një ditë e shënuar për Lukashenkon, i cili mbushi 66 vjeç. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti publikoi një foto të tij me një automatik në dorë përpara pallatit presidencial.

Ai mori një mesazh urimi nga aleati i tij rus Vladimir Putin, i cili e ftoi për një vizitë në Moskë gjatë javëve të ardhshme. Edhe pse marrëdhënia e tyre është lëkundur kohët e fundit, Putin ka gati një ekip forcash speciale ruse për ta dërguar në ndihmë të qeverisë bjelloruse, siç ka thënë ai, vetëm në rast se vendi përfshihet në kaos.

Tv Klan