U arrestuan për trafikun e 143 kg kokainë

Gjykata e Durrësit la në arrest me burg dy ortakët e kompanisë “Masabi Fruits”, Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti, pasi në kontejnerin e porositur prej tyre me banane në Ekuador u zbulua 143 kilogramë kokainë.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura avokatët mbrojtës deklaruan se klientët e tyre nuk kanë pasur dijeni për praninë e kokainës pasi ata kishin porositur vetëm bananet dhe rrjedhimisht nuk mbajnë përgjegjësi për të.

Mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë, por kjo nuk u mor parasysh nga gjykata. Kokaina u zbulua 3 ditë më parë pasi kishte kaluar tranzit në portin e Gioia Tauro në Itali. Me mbërritjen në portin e Durrësit ajo u fut në skaner për shkak të riskut që mbajnë dërgesat nga Ekuadori. Kjo zbuloi drogën e fshehur në një hapësirë të posaçme në tavanin e kontejnerit.

Kokaina ishte mbështjella me letër natriban me ngjyrë të zezë dhe kafe dhe disa prej pakove kishin foton e narkotrafikantit Pablo Eskobar me mbishkrimin “më i miri”, “plakushi” dhe “vëllai”.

Dyshohet se droga ishte porositur nga disa grupe kriminale, por prokuroria tha se hetimet vijojnë.

Kjo është sasia e dytë e kokainës që kapet në pak ditë në portin e Durrësit. Në fillim të muajit prill u 49 kg kokainë e fshehur ne hapësirat e një kontenieri të nisur me banane, po nga Ekuadori për llogari të kompanisë së Selim Çekajt, babai i Arbër Çekajt i dënuar për trafikun e 613 kg kokainë të zbuluar në 2018-ën.

Tv Klan