Projektligji diskutohet në Kuvend

Pas afro 3 vjetësh, qeveria propozon amnisti për kategori të caktuar të dënuarish, përmes një projektligji i cili ka nisur diskutimet këtë të mërkurë ne Komisionin Parlamentar të Sigurisë.

Nga 56 gra dhe vajza që vuajnë dënimin në të gjithë vendin, 22, pas miratimit të këtij drafti nga Parlamenti dhe dekretimit nga kreu i shtetit, do të jenë të lira, ndërsa 34 të tjera do të përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit të mbetur.

Kategoria që përfitojnë janë ato që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë.

Te kjo kategori përfshihen dhe të miturit, dhe vetëm një është në këto kushte dhe do të mund të rifitojë lirinë pas futjes në fuqi të ligjit.

Ndërsa burrat, që të mund të përfitojnë nga amnistia, duhet të jenë të dënuar me burgim deri në 2 vjet ose më pak, që ju ka ngelur më pak se 2 vjet për të vuajtur dënimin, janë mbi moshën 60 vjeç ose ata që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç.

Në draft është parashikuar që të përjashtohen nga përfitimi të gjithë personat e dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me fushën e krimit kundër njerëzimit, vrasje me dashje, krim i organizuar, pengmarrje, prostitucion e pornografi, vepra penale kundër fëmijëve përfshirë dhunën në familje si dhe të gjithë ata që janë përsëritës në të njëjtën vepër penale.

Në diskutimet në Komisionin e Sigurisë u vendos që në këtë kategori të përfshiheshin dhe të dënuarit për vjedhje, duke qenë se është një vepër e cila ka njohur rritje vitet e fundit.

Po ashtu, u miratua dhe amendimi për të përfshirë në listën e të dënuarve që do të amnistohen personat që kanë ndërtuar pa leje. Në total, numri i të burgosurve që do të rifitojnë lirinë është 144. 

Tv Klan