Për dhunën e një dite më parë në protestën e opozitës, policia arrestoi 15 persona. Aksioni i policisë u zhvillua në qytete si Tirana, Shkodra, Elbasani, Divjaka, Prrenjasi e Fieri gjatë mbremjes së të shtunës dhe mëngjesin e së dielës. Ndër personat e ndaluar është edhe Florenc Hoxha, ish-drejtor i Inspektoriatit Urbanistik të Tiranës.

Protestuesit e prangosur janë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në tubimin e së shtunës. Policia konfirnon gjithashtu se 7 protestues të tjerë janë shpallur në kërkim edhe ata të identifikuar si persona që kanë qëlluar me mjete të forta ndaj Kryeministrisë.

Mbi të arrestuarit rëndojnë katër akuza, kundërshtim i policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e qetësisë publike dhe shkatërrim prone.

Blutë thonë se kanë prova që faktojnë se këta persona kanë kryer këto vepra penale. Janë pamjet filmike prova kryesore e policisë që ka çuar në identifikimin e personave që sulmuan Kryeministrinë ditën e protestës së opozitës. Pamjet vërtetojnë sipas policisë çarjen e kordonit të efektivëve dhe më pas thyerjen e xhamave si dhe  instalacionit në hyrje të ndërtesës së qeverisë.

Në total në protestën e një dite më parë u lënduan 19 persona, mes të cilëve edhe efektivë policie. Pasojat e dhunës mbi godinën e Kryeministrisë janë akoma të dukshme. Punonjesit e bashkisë vazhdojnë të pastrojnë atë që ka mbetur pas sulmit. Ndërsa ka filluar puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Tv Klan