Të paktën 15 persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan.

Aeroplani i kompanisë “Bek Air” humbi lartësi dhe u përplas me një ndërtesë menjëherë sapo ishte ngritur në fluturim nga aeroporti Almaty. Rreth 60 persona janë plagosur, mes të cilëve edhe fëmijë, të cilët janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Shkaku i rrëzimit të aeroplanit të pasagjerëve ende nuk dihet. Reporteri i Reuters deklaroi se në zonë kishte mjegull të dendur gjatë kohës kur ndodhi aksidenti ajror.

Me këtë aeroplan udhëtonin 93 pasagjerë dhe 5 anëtarë ekuipazhi. Në listën plotë të pasagjerëve të botuar nga autoritetet kazake, ishin 5 fëmijë dhe 3 foshnje.

Një nga të mbijetuarat, Maral Erman, tha për mediat se aeroplani po dridhej gjatë ngritjes në fluturim. “Nuk kishte kaos në bord. Nuk pati të bërtitura”, u shpreh ajo duke shtuar se pas rrëzimit në tokë ekuipazhi hapi derën e daljes për pasagjerët. Kur doli, e mbijetuara pa se aeroplani ishte ndarë përgjysmë. /tvklan.al