151-vjetori i Dellçevit në “shtetrrethim”
Forca të shumta policore garantojnë homazhet
Kalaja e Shkupit dhe Çarshia e Vjetër që herët në mëngjes në rreze të gjerë u siguruan nga policia, forca speciale me automjete të blinduara dhe civilë, ndërsa mbi zonë fluturonte edhe helikopteri i policisë.
Tensionet në marrëdhëniet maqedonase-bullgare, gjatë javëve të fundit, të provokuara nga deklaratat nacionaliste dhe përleshjet fizike, kanë hedhur hije në 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, të cilin edhe Bullgarët edhe Maqedonasit e konsiderojnë “heroin e tyre”. Delegacionet shtetërore maqedonase së pari u përkulën te varri, ndërsa u drejtuan përmes rrjeteve sociale.
“Në nder të revolucionarit maqedonas dhe heroit kombëtar, sot vendosa lule në vendprehjen e tij të përhershme”, tha Presidenti Pendarovski.
“Qetë dhe në mënyrë dinjitoze, siç i ka hije vizonarit të madh, botëror dhe frymëzuesit të veprës dhe shtetësisë revolucionare maqedonase, Goce Dellçevit, sot kemi dhënë nderimet tona”, u shpreh Kovaçevski.
Mbetjet mortore të Goce Dellçevit, që kur në vitin 1946 u dorëzuan nga Bullgaria, prehen në oborrin e Kishës Shën Spasi në Shkup.
Me dekada të tëra, 4 Shkurti shënohej në mënyrë të qetë. Por “beteja” për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit u ndez pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë në vitin 2017 dhe vetos Bullgare për rrugën evropiane të vendit.
Klan Macedonia