Të paktën 154 persona kanë  humbur jetën dhe më shumë se 200 të tjerë janë shtuar në spital pasi kishin konsumuar pije alkoolike të kontaminuar në Indi.

CNN raporton se viktimat kishin konsumuar alkool të pakontrolluar, prodhuar në mënyrë artizanale dhe të paligjshme në shtetin e Assamit, në verilindje të Indisë.

Policia tha se bilanci i viktimave u rrit të hënën në 154 të vdekur nga 133 që ishte të dielën. Policia ka arrestuar deri më tani 34 persona si të përfshirë në furnizimin me alkool të paligjshëm. “Është pije ilegale që është prodhuar në këtë rajon. Ende po hetojmë përbërjen”, tha Mukesh Agarwal, një zyrtar i lartë i policisë në shtetin e Assamit.

Rastet e para të kontaminimit u raportuan pasditen e së enjtes dhe shumica e viktimave ishin punëtorë në fusha çaji.

India ka ndërmarrë një betejë të ashpër kundër alkoolit të paligjshëm, i cili konsumohet nga shtresat e varfra të shoqërisë indiane.

80 persona vdiqën në muajin shkurt në shtetet Uttar Pradesh dhe Uttarakhand pasi konsumuan pije ilegale të prodhuara në mënyrë tradicionale. Në vitin 2015, 100 persona vdiqën në Mumbai, ndërsa në vitin 2011, 168 persona humbën jetën në Bengalin Perëndimor pas konsumit të pijeve të pakontrolluara. /tvklan.al