1 239 raste të reja, 16 humbje jete dhe 471 të shtruar në spitale

Rastet e reja të infektimeve me Covid-19 vazhdojnë të shënojnë rekorde që prej nisjes së epidemisë në vendin tonë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar 1 239 raste të reja, nga 4 562 testime të kryera, një raport pozitiviteti i rritur këtë javë në 27%, nga 20% që ishte një muaj më parë.

Pothuajse se gjysma e rasteve të reja me Covid-19 janë regjistruar në kryeqytet, por edhe Durrësi vijon të ketë numër të lartë të infektuarish bashkë me Elbasanin, Fierin dhe Shkodrën.

Edhe numri i personave që kanë humbur betejën me virusin ka shënuar shifrën më të lartë të këtij viti. 16 qytetarë kanë humbur jetën 24 orët e fundit, 7 prej të cilëve nga Tirana, 2 nga Vlora 1 nga Durrësi, Saranda, Kruja, Lushnja, Kavaja, Elbasani dhe Korça, të moshave 58 deri në 84 vjeç.

Autoritetet shëndetësore njoftojnë për 471 pacientë të shtruar në 4 spitalet Covid, situatë e cila dëshmon për mbushje të kapaciteteve spitalore. 32 pacientë ndodhen në terapi intensive nga të cilët 11 janë të intubuar. 805 qytetarë janë shëruar së fundi, ndërsa në të gjithë vendin aktualisht janë 33,107 raste aktive.

Tv Klan