Partia Demokratike akuzon Policinë e Shtetit se nuk e lejon që të zhvillojë protestën e 16 Shkurtit tek sheshi përpara Piramidës dhe në rrugën “Ismail Qemali”.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, selia blu thotë se policia është njoftuar zyrtarisht për protestën sipas ligjit, por nuk ka të drejtë që të ndryshojë vendin se ku do të mblidhen qytetarët.

Partia Demokratike akuzon Policinë se po ndikohet nga politika dhe në kundërshtim me ligjin vendos të ndryshojë vendin e zhvillimit të protestës.

Demokratët thonë se nuk marrin leje nga uniformat blu se ku do të protestojnë, por vetëm i vendosin në dijeni. Partia Demokratike garanton gjithashtu se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e një proteste paqësore në vendet ku ka njoftuar zyrtarisht Policinë e Shtetit.

Njoftimi i Partisë Demokratike:

Në përputhje me Ligjin për Tubimet, Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt 2019, ora 11.00, në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”.

Policia e Shtetit, në kundërshtim me ligjin dhe për arsye politike, ka njoftuar ndryshimin e vendit të protestës, duke mos lejuar zhvillimin e saj edhe tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”.

Sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës.

Partia Demokratike nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje.

Qëndrimi i Partisë Demokratike i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara nga Partia Demokratike.

Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politik të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike.

Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë.

/tvklan.al