Shpërthen Saimir Kodra: Mund të jeni familjarë shumë të mirë, por të urryer në punën që bëni…

Jemi ndalur në fshatin Grabjan të Lushnjës, pasi Çelnik Dhëmbi është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” për një problem me vajzën e tij 16-vjeçare.

E mitura ka marrë kemp për rreth 12 vjet, për shkak të diagnozës prapambetje mendore. Në vitin 2019 ka shkuar dhe ka bërë rinovimin e letrave të kempit dhe deri në Shkurt të 2020-ës ka marrë kempin si zakonisht. Në Shkurt është thirrur në Kempin Epror dhe i është thënë që kempi ndërpritet, pasi nuk i takon, madje duhet të kthejë lekët, rreth 400 mijë lekë të vjetra.

Çelniku tregon se vajza sa vjen dhe bëhet më agresive dhe nuk është e aftë as për shkollë. Ai thotë se dhe vetë është i sëmurë dhe ka nevojë për ilaçe.

“Duhet të kthej 400 mijë lekë për dy muaj. Ku ti gjej unë tani? Vetë jam i sëmurë me ilaçe. Kërkoj një zgjidhje nga juve.”

Për këtë problem u drejtuam në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social dhe përgjigja që morëm ishte se në Dhjetor të vitit 2019 nga Kempi Epror vajza është diagnostikuar me prapambetje mendore të lehtë, duke u lënë pa grup invaliditeti, e për rrjedhojë edhe pakemp.

Saimir Kodra: Si ka mundësi që e keni lënë pa kemp? Pa grup, një njeri që ka probleme të prapambetjes. Tani nëse ka një njeri që ka probleme të prapambetjes, sipas jush tashmë të moderuar a të përmirësuar, rekomandojeni për punë, mos e lini barrë në familje. Mendoni ju korifenjtë e këtij vendi, kokat e mjekësisë, që ajo vajzë, që e pashë në pamje unë dhe kolegu im, është e aftë të punojë? Se kemp nuk merr ngaqë ju mendoni se është e aftë, ju mendoni se ai fëmijë atje mund të punojë? Pra kemp nuk i jepni se është rregulluar, çojeni për punë pra. Futeni në punë pra. Thojani kush është grupi i punës që mund të bëjë.

Gentian Zenelaj: Të gjithë ata duhet të firmosin se është e aftë për punë. Edhe të marrin përgjegjësi për atë që firmosin.

Saimir Kodra: Qyqja mi non, jemi kthyer në ca njerëz…mund të jeni familjarë shumë të mirë, por të urryer në punën që bëni. Athu se i keni lekët tuaja. Janë taksat tona. Sigurisht keni për detyrë t’i menaxhoni në mënyrë perfekte, mos i jepni kempe atij që jeton në Gjermani dhe merr nga 2000 euro në muaj, se keni plot kështu rastesh, e mos jepni kempe kur merrni nga 1 milionë lekë në dorë, por jepuani këtyre që kanë nevojë… Është nuk e di, nuk di se me çfarë kuraje e çfarë njerzillëku i keni thënë jo dhe se me çfarë pafytyrësie tuajën i thoni ‘a t’i kemi dhënë gabim, do të kthesh 400 mijë lekëshin’./tvklan.al