55-vjeçari nga Vlora ka mohuar që të ketë dijeni për lëndën narkotike në mjet

Mbetet në burg shoferi i kamionit ku u gjetën 17 kg heroinë në Portin e Durrësit. Gjykata e këtij qyteti vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Sulo Pajën, i cili drejtonte mjetin me targa shqiptare që po shkonte drejt Malit të Zi.

Kamioni u ndalua për kontroll në vijën e dytë në pikën kufitare të Hanit të Hotit pas dyshimeve se brenda tij kishte drogë. Pavarësisht kontrolleve, forcat kufitare nuk arritën që të gjenin lëndën narkotike dhe mjeti u shoqërua drejt portit të Durrësit. Aty iu nënshtrua një kontrolli tjetër dhe policia doganore zbuloi sasinë prej 17 kg heroinë.

Lënda narkotike ishte fshehur në sarbatorin e kamionit, e mbështjellë me natriban dhe e ndarë në 34 pako. 55-vjeçari nga Vlora mohoi që të ketë dijeni për drogën në mjetin që drejtonte. Pritet analiza e telefonit të tij për të zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut të drogës.

Klan News