17 mijë raste gripi në Janar, ISHP: Situata po përmirësohet


17 mijë raste gripi në Janar, ISHP: Situata po përmirësohet

13:02 07/02/2024

Eksperti Artan Simaku: Shkurti ka shënuar ulje të personave të prekur nga infeksionet respiratore

Ditët e fundit situata epidemiologjike në vend sipas Institutit të Shëndetit Publik është përmirësuar, krahasuar me pikun në Janar prej 17 mijë rastesh të raportuara me grip.

Artan Simaku: Është e njëjta situatë si në shumë vite të mëparshme që piku i qarkullimit në vend të arrihet në fund të muajit Janar dhe në fillim të muajit Shkurt, por theksojmë se jemi shumë larg pragut epidemik. Madje ka filluar që nga java e kaluar një trend në rënie i numrit të infeksioneve respiratore. Në Janar piku arriti në 17 mijë raste, ndërsa aktualisht që po flasim janë 16 mijë raste. Pra, ka filluar rënia dhe kështu parashikohet në javët në vijim.

Specialistët e ISHP nënvizojne se aktualisht ka një bashkëqarkullim të virusit të gripit të Tipit A dhe Covidit.

Artan Simaku: Në vend, si në gjithë kontinentin europian qarkullojnë dy viruse të gripit, ai i tipit A dhe tipit B, por me mbizotërim të theksuar të tipit A. Të gjitha grupmoshat janë të prekura nga gripi, por kryesisht ajo pediatrike 0-14 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç që kanë dhe sëmundjet shoqëruese.

Sipas specialistëve, shmangia e ambienteve të mbyllura, një higjienë sa më e mirë dhe përdorimi i maskës nga personat e infektuar mbeten tepër të rëndësishme.

Klan News









Të ngjashme