Shumë studentë mbrëmjen e kësaj të marte ndodhen në studion e “Opinion”, në Televizionin Klan. Secili prej tyre ka një histori më vete, por të gjithë bashkë tregojnë për vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë. Shumë, për të studiuar u duhet të punojnë me orë të stërzgjatura, e për pasojë nuk kanë as mundësinë të ndjekin mësimin.

Rina tregon se iu desh të shkëputej nga universiteti për shkak të kushteve ekonomike. Familja e saj përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve studentë dhe asnjë i punësuar.

“Duhet të isha aktualisht studente, e lashë sepse ekonomia është një problem shumë serioz. Më është dashur që ta le shkollën sepse më duhej të punoja dhe të studioja. Isha për psikologji, e lashë në vit të tretë. Nuk jemi vetëm një nxënës në familje, jemi dy dhe përderisa duhet të bësh sakrificë në familje… Për momentin nuk punon asnjë. Motra e madhe është e fejuar, mamaja jo (nuk punon), babai është i sëmurë, e ka lënë punën. Vetë jam e papunë, që do të thotë jemi 5 pjesëtarë. E humba shkollën sepse më duhej të punoja dhe gjatë 2 viteve punoja dhe studioja. Shumicën e lëndëve i kam lënë sepse nuk isha unë aty duke studiuar, por duke punuar. Prandaj bursat janë të nevojshme”,

rrëfeu Rina.

Një tjetër studente tregoi se këtë vit është detyruar që t’i linte studimet sepse duhet të punonte. Familja e saj përbëhet nga 6 persona dhe punojnë vetëm 2 motrat. Ajo tregoi se për të mbajtur familjen punonte nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite dhe nga ora 7 pasdite deri në orën 5 të mëngjesi.

Një tjetër studente e Fakultetit të Shkencave Sociale tregoi se e kishte lënë shkollën sërish për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

“Ishte e pamundur. Lashë vitin shkollor, me vështirësinë më të madhe e bëra kërkesën nga dekani, që u firmos me shumë lehtësi nga vetë ai. Kam punuar 17 orë në ditë që të vazhdoj vitin shkollor sivjet. Jemi 4 veta në familje dhe nuk punon asnjë, përveç meje. Prindërit për momentin nuk janë në punë, vëllai është në shkollë, ndërsa unë jam studente”,

rrëfeu studentja.

/tvklan.al