Rriten sërish rastet e reja, regjistrohen 795 të infektuar

Koronavirusi ka shënuar një tjetër rekord të zi, teksa për herë të parë që nga shfaqja e pandemisë ka regjistruar 17 viktima në 24 orë, duke e çuar në 716 totalin e jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se pacientët që nuk e fituan dot betejën me Covid-19 ishin nga Durrësi, Tirana, Fieri, Korça, Skrapari, Kuçova, Gramshi, Lezha, Dibra dhe Kavaja, më i riu mes tyre ishte vetëm 37 vjeç.

Kjo e hënë ka regjistruar sërish rritje të rasteve të reja, thuajse 50 % më shumë se një ditë më parë. Mes 2352 të dyshuarve që u testuan, 795 qytetarë rezultuar të infektuar me Covid-19.

236 raste të reja i përkasin Tiranës, ndërsa prania e virusit tashmë është evidentuar në çdo qytet të Shqipërisë, ku dhe janë shpërndarë rastet e reja.

Në rritje ka ardhur edhe numri i personave që kanë patur nevojë për hospitalizim. Aktualisht në 3 spitalet Covid po trajtohen 439 pacientë, 16 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se shumë shpejt do të hapet Covid 4 dhe janë në gatishmëri spitalet rajonale.

“Kjo nuk është një periudhë e lehtë, e cila po shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, ndaj vendosja në dispozicion e kapaciteteve të reja dhe përgatitja për hapjen e spitalit COVID4 vjen si përgjigje për përballjen e situatës. Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”

Në 24 orë, 338 persona janë shëruar, duke e çuar në mbi 16 mijë totalin e atyre që ia kanë dalë në betejën me Covid-19.

Tv Klan