Autoritetet policore vunë në pranga një 20-vjeçare në shtetin indian të Mumbait, sepse u martua me një 17-vjeçar. E reja dhe vajza 5 muajshe e çiftit, sipas asaj që shkruan BBC, qëndrojnë në qelinë e një burgu prej 2 javësh.

Ajo u arrestua pasi nëna e adoleshentit depozitoi një ankesë në polici dhe akuzohet për abuzim seksual me të miturit. Por 20-vjeçarja thotë se lidhja ishte konsensuale, ndërsa kundërshton gjithashtu pretendimet se bashkëshorti i saj nuk është në moshë madhore.

Ndonëse mosha e pranuar për marrëdhënie seksuale në Indi është mbi 18 vjeç për të dyja gjinitë, mosha ligjore për martesë është 18 për femrat dhe 21 për meshkujt.

Korrespondentja e BBC në Dehli, Geeta Pandey thotë se ky është një rast i rrallë, ku një femër është arrestuar për martesë me një mashkull nën moshë. Ka plot raste kur meshkuj në lidhje konsensuale kanë përfunduar në pranga, pas ankesave nga prindërit e vajzave, të cilat nuk kanë mbushur ende 18 vjeç.

Në rastin konkret, një zyrtar i policisë në Mumbai tha për BBC se nëna e adoleshentit bëri një ankesë në polici Dhjetorin e vitit të shkuar, duke e akuzuar familjen e saj se i kishte rrëmbyer djalin dhe e kishte detyruar atë që të martoheshin. Në ankesën e saj nëna e 17-vjeçarit tha gjithashtu se i biri kishte qenë në kontakt me të renë për 2 vjet radhazi dhe se ajo e kishte kërcënuar se do të vriste veten nëse ai nuk e takonte më.

Nga ana e saj 20-vjeçarja e arrestuar pretendon se bashkëshorti i saj është mbi 18 vjeç dhe se lidhja e tyre është konsensuale. Ajo thotë se bashkëshorti i saj ka dy motra të moshës 20 dhe 18 vjeçe, ndaj dhe nuk ka mundësi që ai të jetë 17 vite e 8 muajsh.

/tvklan.al