Pas gjetjes se trupit të 17-vjeçarit Matia Rizallari që u mbyt në lumin e Vjosës, familjarët e viktimës kanë dyshime se i riu është hedhur qëllimisht në lumë nga shoku i tij, 24-vjeçari Egliter Dosti. Ata i kërkojnë drejtësisë të zbardhë ngjarjen.

“Mund të jetë shtyrë në lumë nga shoku, shteti të zbardhë ngjarjen”.

Policia e Gjirokastrës ka shoqëruar në komisariat Dostin për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. Përballë hetuesve ai ka dhënë dy dëshmi të ndryshme. Fillimisht ka mohuar se ka qenë në shoqëri të adoleshentit, por më pas e ka pranuar një gjë të tillë.

Trupi i adoleshentit është transportuar në morgun e qytetit të Gjirokastrës ku pritet të vijnë ekspertë nga Tirana për të bërë autopsinë e trupit, pasi dyshohet për pista të tjera.

Më 9 Qershor, 17-vjeçari doli nga shtëpia e gjyshërve bashkë me shokun e tij për t’u larë në lumë. Që prej kësa dite, ai humbi kontaktet me familjen. Trupi i të riut u gjet i mbytur pas katër ditësh.

Ndërkohë, shoku i tij u largua nga banesa e më pas drejt Sarandës, duke mos njoftuar familjarët por dhe policinë.

Tv Klan