Gjergj Prenga, një 17-vjeçar nga Mirdita i cili ka ardhur në Tiranë për të studiuar, ka rënë pre e bullizimit nga shokët e tij në klasë. Në fillim nga dialekti, më pas nga kauzat që ai ndiqte, përfshirë edhe LGBTI-në. Ai është sharë dhe ofenduar shpesh nga disa djem të shkollës dhe lidhur me këtë shqetësim, Gjergji i është drejtuar psikologes së shkollës, dhe mësueses kujdestare, por sa herë ka shkuar tek ato e kanë përcjellë duke i thënë se do e zgjidhnin dhe ndërkohë sipas Gjergjit as kanë marrë mundimin të bëjnë gjë.

Pasi nuk ka gjetur zgjidhje nga drejtuesit e shkollës, Gjergji i është drejtuar Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA Shqipëri).

CRCA e ka referuar problematikën tek Drejtoria e Shkollës ku Gjergji shkon, dhe rasti duket se ka gjetur zgjidhje, pasi prej dy javësh djemtë që e ngacmonin dhe bullizonin, nuk janë ndjerë më.

Por duket se një problem tjetër ka lindur, pasi mësuesja kujdestare dhe psikologia e shkollës kanë filluar një lloj ‘presioni’ ndaj Gjergjit.

“Të mërzitura” me të, se përse ai e ka çuar problemin deri tek CRCA, ato i thonë se ai nuk ka asnjë të drejtë të veprojë kështu.

Mësuesja kujdestare jo më larg se kjo e premte, e ka kërcënuar se do t’i verë mungesa mjaftueshëm Gjergjit derisa ai të dalë i pakualifikuar, të ngelë në klasë, apo t’i duhet të përjashtohet nga shkolla.

Gjergji kërkon të zgjidhet ky problem dhe zëri i tij të shërbejë për të ndërgjegjësuar dhe moshatarë të tjerë të bullizuar që kanë frikë të flasin, ose që nuk gjejnë mbështetje.

Mirela Milori: Ti ke folur me psikologen e shkollës për situatën tënde?

Gjergj Prenga: Vjet kam shkuar tek psikologia e shkollës dhe tek zysha kujdestare. Ato thanë që do flasim me nxënësit, por që nuk u zgjidh asgjë sepse nuk do vazhdonte dhe sivjet, këtë vit shkollor. Kur filloi ky vit shkollor vendosa t’i drejtohesha CRCA-së (Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri) dhe ia referova rastin dhe ata ia kishin referuar rastin shkollës.

Më thirri zysha kujdestare dhe psikologia e shkollës, ja sqarova problemin dhe gjithë puna ishte tek imazhi i shkollës mesa pashë unë, pra atyre i ishte prishur imazhi i shkollës. Ato e zgjidhën me nxënësit, nuk pata më asnjë problem këtë javë në shkollë, ndërsa tani duke u mbyllur java, ditën e premte pata një debat që në mëngjes me psikologen.

Psikologia më tha ke bërë mirë që ke shkuar tek CRCA-ja? Po i thash përderisa nuk më është zgjidhur vjet si problem, këtë vit do i jepja vetë zgjidhje. Gjithë fjalët që ke thënë mund të jenë mashtrim dhe ti nuk ke si t’i vërtetosh që ke ardhur dhe ke bërë ankesë tek shkolla për nxënësit dhe unë mund të të akuzoj për mashtrim tek zysha kujdestare me drejtoreshën, më tha. Pra ato e shikonin dhe si mundësi për të më përjashtuar edhe nga shkolla sepse i isha drejtuar CRCA-së.

Në fund të mësimit fola me mësuesen kujdestare dhe i dha të drejtë psikologes. E ka kolege por të drejtë duhet t’i jepet atij që ka të drejtë. Ne një javë e bëjmë shkollë, një javë e bëjmë pushim, e më tha javën që do e kesh pushim neve do të të vendosim mungesa, gjë që të nxjerr të pakualifikuar në fund të tre mujorshit për të kaluar. /tvklan.al