E mitura rrëfen kalvarin e 8 muajve të largimit nga shtëpia

E kanë droguar për 8 muaj. Katër persona kanë abuzuar seksualisht me të dhe më pas e kanë përdorur për prostitucion. Kjo është historia tragjike e kësaj 17-vjeçareje nga Fushë-Kruja.

E mitura ka treguar për Televizionin Klan se pas konflikteve që ka pasur me prindërit, ka zgjedhur të largohet nga banesa dhe të kërkojë punë në një lokal.

“Pasi më njofti me dy persona, më tha që ç’a pune do të bësh ti. Ti s’je për asnjëlloj pune, vetëm për seks je”.

Vajza tregon se ka kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të drogës që i jepej.

“Hashashin e kam nisur shumë e vogël, qysh 14 vjeçe. Hera e parë që provova kokainë ka qenë në ditëlindjen time në 2019. Një person më jepte kokainë me qëllimin që të kryeja marrëdhënie seksuale me të”.

Duke e parë që e mitura u bë vartëse nga droga, të rinjtë e përdorën për prostitucion në Kamëz.

“Më kanë dërguar në një hotel në Kamëz edhe aty më kanë përdorur dy persona që unë nuk i njihja fare. Kanë ushtruar edhe dhunë ndaj meje”.

Ajo thotë se kanë kërkuar që ta çonin në Greqi, dhe bën një apel për shtetin.

“Dua që shteti të më mbrojë familjen, pasi ndihem e kërcënuar”.

Pas zbardhjes së ngjarjes, 4 persona u vunë në pranga ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Një natë më parë njëri nga personat e shpallur në kërkim dyshohet se hodhi një pako me tritol në banesën e familjes.

Nëna e 17-vjeçares thotë se vajza i doli nga kontrolli kur filloi të konsumonte drogë.

“Ajo ka konsumuar shumë shpesh hashash, deri sa arriti e la hashashin dhe filloi kokainën. Janë shumë persona që janë futur në burg për çështjen e gocës, por nuk mund të ve gisht te asnjëri”.

Policia thotë se në pranga për ngjarjen janë Leonard Stafa, Fatjon leka, Eduard Cangu dhe Arbin Shima. Në kërkim janë Alket Brata dhe Ameld Merlika.

Tv Klan