17 vjet në arrati, kur e gjetën ai…

Posta

17 vjet në arrati, kur e gjetën ai…

18:48 30/09/2019

Autoritetet policore në Kinë arrestuan pas 17 vjetësh në arrati një person, të cilin e gjetën të fshehur në një shpellë.

63-vjeçari Song Jiang u arrestua dhe u dënua për trafikimin e grave dhe fëmijëve, por arriti të arratisej nga burgu në 2002-n.

Ai arriti t’i shpëtonte drejtësisë për plot 17 vjet duke jetuar në një shpellë të vogël, i shkëputur nga njerëzimi.

Sipas asaj që shkruan BBC, policia e Yongshan kishte marrë sinjalizime për vendndodhjen e Song në fillim të këtij muaji. Disa të dhëna i çuan oficerët drejt maleve që ndodheshin pas qytezës ku kishte jetuar, në provincën Yunnan, në jugperëndim të Kinës.

Pavarësisht kërkimeve, vendndodhja e tij nuk u arrit të lokalizohej, ndaj autoritetet vendosën që të përdornin dronë për t’u ardhur në ndihmë.

Këta të fundit dalluan një llamarinë blu që ndodhej në hyrje të shpellës, por edhe mbeturina jashtë saj. Në këtë pikë oficerët vendosën që të shkonin të kontrollonin dhe e gjetën Song brenda shpellës, ku kishte vite që fshihej.

Sipas policisë, periudha e gjatë që kishte qëndruar i vetëm në arrati, kishte bërë që 63-vjeçari ta kishte vështirë të komunikonte.

Media shtetërore tha se Song përdorte shishe plastike për të marrë ujë nga lumi që ndodhej pranë dhe përdorte pemët që kishte rreth e rrotull për të bërë zjarr./tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi