Shënohen 4 viktima, 151 pacientë të shtruar

E hëna e 24 Gushtit ka shënuar një tjetër rekord të të prekurve nga Covid-19 në vend. Pas 947 tamponëve të kryer si nga laboratorët publik ashtu dhe të spitaleve private, Tirana rezulton të jetë qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve.

“Nga totali i testimeve, 178 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 50 raste në Tiranë, 14 raste në Durrës, 12 raste në Kukës, nga 9 raste në Fier dhe Berat, nga 8 raste në Elbasan dhe Kolonjë, nga 7 raste në Krujë dhe Gramsh, 6 rastë në Vlorë, 5 raste në Shkodër, nga 4 raste në Devoll, Lezhë, Mirditë, Peqin, 3 raste në Kavajë, nga 2 raste në Has, Lushnje, Librazhd, Kamëz, Përmet, Bulqizë, Kuçovë, nga 1 rast në Korç, Mat, Pogradec, Ura Vajgurore, Divjakë, Dibër, Klos, Shijak, Skrapar, Vorë”.

Jetët e humbura ne dy spitalet covid janë 4, duke e çuar në 254 numrin e jetëve të humbura që nga shfaqja e pandemisë.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 57-vjeçar dhe një 75-vjeçar nga Tirana, një 72-vjeçar nga Durrësi dhe një 88-vjeçar nga Kruja, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Situata nuk është aspak pozitive edhe në dy spitalet covid, ku është rritur numri i të shtruarve dhe pacientëve në terapi intensive.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 151 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 15 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar”.

Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është 81, domethënë as sa gjysma e të infektuarve, çka e bën situatën edhe më serioze kur ekspertët japin alarmin dhe Vjeshta do të shtojë shifrat e të prekurve.

Tv Klan