ILD: Probleme me lirimin e të burgosurve para kohe

Në harkun kohor prej 17 muajsh, që kur Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur të funksionojë, për 18 magjistratë, prokurorë dhe gjyqtarë ka nisur proces hetimi ose është dhënë masa e procedimit disiplinor.

Ata janë të emëruar në Gjykatat dhe Prokuroritë e Elbasanit, Vlorës, Dibrës, Tropojës. Çështjet për të cilat janë marrë këto hapa nga ILD janë problematika që lidhen me institutin e lirimeve para kohe me kusht, zvarritje të procedurave të hetimit e proceseve gjyqësore, si dhe shkelje të rënda etike.

Shumë prej rasteve janë bërë publike siç ishte rasti i gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha që vendosi për lirimin nga burgu të Endrit Dokles apo dhe rasti i gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani për të cilën u mor masa disiplinore për shkelje të rëndë të etikës pas publikimit të videove në rrjetin social Tik Tok, disa prej të cilave të realizuara dhe në zyrën e saj në ambientet e Gjykatës së Elbasanit.

Ndërkaq në njoftimin informues të ILD bëhet e ditur se prej datës 1 Shkurt 2020, kur nis veprimtaria e institucionit, janë mbi 3900 ankesa, që po administrohen dhe trajtohen.

Ankesat vijnë nga qytetarë apo institucione, por edhe një numër i madh prej tyre janë të trashëguara nga institucionet e mëparshme, që trajtonin dhe kryenin hetime disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët.

Paralelisht Inspektori i Lartë i Drejtësisë njofton se ka nisur inspektimet pranë gjykatave, prokurorive të Shkodrës, Fierit dhe Vlorës për të parë nëse respektohet legjislacioni procedural penal mbi kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit.

Tv Klan