Numër i lartë pacientësh në terapi intensive

24 orët e fundit shënuan një tjetër numër të lartë viktimash nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë raportoi se 18 pacientë ndërruan jetë për shkak të virusit në 4 spitalet Covid. 9 nga viktimat janë nga Tirana, 3 nga Fieri, 2 nga Elbasani ndërsa të tjetër janë nga Tropoja, Korça, Durrësi dhe Kruja. Me rastet e fundit shkon në 870 numri i jetëve të humbura në vend që nga nisja e pandemisë.

Një shifër të lartë shënuan edhe të infektuarit e rinj. Nga 2 264 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 801 qytetarë. Shumicën e rasteve të reja pozitive vijon ta mbajë Tirana me 349 të tillë. Më pas vijnë Vlora, Lushnja, Lezha, Shkodra dhe Korça.

Të larta mbeten edhe shifrat e pacientëve të shtruar në 4 spitalet Covid, ku po trajtohen 483 pacientë, 35 janë në terapi intensive ndërsa 10 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 490 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 20 974 që nga fillimi i epidemisë. Zyrtarisht në vend janë 19 458 persona të prekur aktivë, më shumë se gjysma e të cilëve i përkasin kryeqytetit.

Tv Klan