Një adoleshente e cila vuante nga një sindromë tepër e rrallë, ka ndërruar jetë në moshën 18-vjeçare. Ashanti Smith u nda nga jeta të shtunën e rrethuar nga familjarët e saj.

Sindroma nga e cila vuante quhet ‘Hutchinson-Gilford Progeria’ dhe i shkaktonte plakje të parakohshme të trupit. Kështu, 1 vit i jetës së saj llogaritej sa për 8 vite. Në moshën 18-vjeçare kur u nda nga jeta, trupi i adoleshentës ishte ekuivalent me trupin e një 144-vjeçareje.

Por pavarësisht kësaj sëmundje tepër të rrallë, të afërmit e saj thonë se Ashanti nuk u dorëzua deri në çastet e fundit. Ata thonë se ajo e jetoi jetën në maksimum. Adoleshentja u nda nga jeta në krahët e nënës së saj, e rrethuar nga babai dhe një mik i familjes.

Miqtë e saj thonë se 18-vjeçarja ishte si çdo fëmijë tjetër. Pavarësisht sindromës që e plakte përpara kohe, nga shëndeti mendor nuk pati shqetësime.

“Gjendja e saj nuk e preku asnjëherë shëndetin e saj mendor. Ajo ishte si të gjithë fëmijët e tjerë. Të qëndroje me të ishte si të rrije me këdo”, thotë një shoqe e saj.

Miqtë tashmë kanë hapur një faqe në internet për të mbledhur sa më shumë fondacione për familjen e saj. /tvklan.al