Ngricë dhe borë në zonat malore të vendit

Kjo ishte pamja pasditen e kësaj të enjteje në zonën e Nënshkodrës. Autoritetet numërojnë 1880 hektarë ende nën ujë. 24 orët e fundit kanë shënuar një përmirësim të lehtë dhe uji ka nisur të tërhiqet nga tokat bujqësore.

Më problematike mbetet situata në njësinë Ana e Malit ku rruga për në fshatin Obot është ende e kalueshme me mjete të larta. Niveli i lumenjve është ende në kuota maksimale për shkak të prurjeve.

Problem vijon të mbetet furnizimi i banorëve me ushqim për kafshët. Ndërprerja e reshjeve të shiut është shënuar me ulje të ndjeshme të temperaturave duke shkaktuar ngrica dhe akull në zonat malore.

Në qarkun e Dibrës ka pasur reshje dëbore në lartësinë mbi 500 metra. Situata më problematike paraqitet në njësitë e thella të Bashkisë Dibër, si në Lurë, Kala e Dodës, Arras, Selishtë, Sall-Dardhë, Reç e Sllovë ku trashësia e borës varion nga 10 deri në 20 centimetra.

Rrugët nacionale Peshkopi-Tiranë dhe Peshkopi-Kukës janë të kalueshme pa probleme. Reshjet e dëborës kanë mbuluar edhe juglindjen.

Tv Klan