OKB: Rrëmbimet janë rritur me 90% dhe 7000 të mitur janë rekrutuar si ushtarë

Kolumbia, Iraku, Somalia, Sudani i Jugut, Siria dhe Jemeni janë vendet ku fëmijët përballen me rrezikun më të madh të dhunës seksuale.

Numri i fëmijëve të rrëmbyer dhe të përdhunuar në rajonet ku konfliktet janë prezente është rritur shumë që nga viti 2020. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se rrëmbimet janë rritur për 90%, ndërsa përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale janë rritur për 70%. Mbi 19,000 fëmijë janë viktima të dhunës në zonat e konfliktit.

Në raportin e saj vjetor thuhet se në 8,400 raste fëmijët janë vrarë ose gjymtuar kryesisht në Afganistan, Siri, Jemen dhe Somali. Afër 7,000 të mitur janë rekrutuar si ushtarë ose janë shfrytëzuar në luftë kryesisht në Somali, Siri, Mianmar dhe Republikën Demokratike të Kongos. Raporti thekson se pandemia e koronavirusit e ka rritur cenueshmërinë e fëmijëve ndaj rrëmbimit, rekrutimit dhe dhunës seksuale. Në raport theksohet gjithashtu se edhe sulmet në shkolla dhe spitale kanë ndodhur në shkallë jashtëzakonisht të lartë.

Të mbijetuarit përballen me disa sfida, që përfshijnë mungesën e sistemeve dhe proceseve për të raportuar krimin, stigmën, frikën e hakmarrjes dhe mungesën e mbështetjes dhe shërbimeve. Trauma që ajo shkakton mund të ketë efekte afatgjata fizike, psikologjike, sociale dhe ekonomike. 

Dhuna seksuale shpesh përdoret si një armë lufte kundër fëmijëve dhe civilëve të tjerë për t’i terrorizuar ata, përhapur frikë për përfitime politike dhe ushtarake, për të pastruar ose poshtëruar etnikisht një grup etnik, ose për të ndëshkuar civilët për mbështetjen e dyshuar të forcave kundërshtare.

Klan News