19 persona kanë përfunduar në prangat e policisë në Krujë, pas një hetimi 3 mujor kundër kultivimit të bimëve narkotike. Në operacionin e koduar “Malësia e Krujës”, u shpallën në kërkim edhe 7 persona të tjerë.

Në një njoftim zyrtar për mediat, policia thotë se operacioni në fjalë vjen në vijim të 4 operacioneve të zhvilluara më parë, të koduara “Ndëshkimi 1, 2, 3 e 4”, gjatë të cilëve janë arrestuar 27 persona dhe 2 janë shpallur në kërkim.

“Pas një hetimi 3 mujor me metoda speciale hetimi, Komisariati i Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Policisë Durrës e ato të F.L.O-së, finalizuan me sukses Mega Operacionin Policor të koduar “Malësia e Krujës”, thuhet në njoftim.

Në pranga përfunduan: A. L., 31 vjeç, banues në Mamurras; M. Ll., 56 vjeç, banues në Mirditë; L. D., 47 vjeç, banues në Borizanë, Krujë; N. M., 28 vjeç, banues në Krujë; M. K., 61 vjeç, banues në Brret, Krujë; R. K., 56 vjeç, banues në Brret, Krujë; E. K., 27 vjeç, banues në Brret, Krujë; Xh. K., 53 vjeç, banues në Picrragë, Krujë; L. Sh., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë; K. Sh., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë; A. M., 65 vjeç, banues në Krujë; F. M., 28 vjeç, banues në Krujë; K. L., 47 vjeç, banues në Cudhi, Krujë; A. G., 35 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë; F. M., 41 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë; B. K., 31 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë; I. X., 42 vjeç, banues në Nojë, Krujë; G. K., 36 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë.

Gjithashtu u bë ndalimi me iniciativë për A. K., 30 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, policia thotë se ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë Shtamë, Picrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë, ku në periudha të ndryshme, janë gjetur dhe asgjësuar kubikë të kultivuar me fara kanabis dhe fidanë kanabis.

Si prova materiale u sekuestruan 33 aparate celulare dhe 1 armë zjarri pistoletë zhurmuese./tvklan.al