Arkivoli i Klisman Gjinit u transportua në heshtje. Mes kësaj heshtjeje të mbushur me dhimbje, ato që ndiheshin ishin lotët e nënës së tij Marjana, e cila herë pas here përkëdhelte arkivolin e djalit, që iu shua në moshën 19-vjeçare.

Në dalje të kishës, miqtë e tij lëshuan në ajër tullumbace kuq e zi, me ngjyrat e flamurit shqiptar.

Familjar, miq e të afërm i dhanë kështu lamtumirën e fundit 19-vjeçarit Klisman Gjini, i cili mëngjesin e së dielës humbi tragjikisht jetën në Merlengo, në provincën e Trevizos, në Itali.

Ai udhëtonte me makinë sëbashku me dy të rinj të tjerë, kur automjeti doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni. Përplasja ishte fatale për 19-vjeçarin, ndërsa dy të rinjtë e tjerë mbetën të plagosur.

Ceremonia mortore për të u mbajt në një kishë në Zero Branco.

/tvklan.al