Tiranë | Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetase 19 vjeçe nga Brazili, se një shtetas e shantazhonte për dhënie pasurie, që të mos i publikonte një video në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Extortion”.

Falë veprimeve profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i Eraldo Dervishit, 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se Eraldo Dervishi i kishte marrë pasaportën 19-vjeçares, të cilën e shantazhonte që t’i jepte shuma të caktuara parash, për mospublikimin e disa videove që ai dispononte.

Ndërkohë gazetari Besar Bajraktaraj mëson më shumë detaje rreth kësaj ngjarje. Dyshja mësohet se ishin njohur në rrjetet sociale, e gjatë kësaj kohe 19-vjeçarja i çonte video intime. Ajo erdhi dhe në Shqipëri dhe kur u takuan, 29-vjeçari i mori pasaportën. Me anë të saj, ai e shantazhonte që t’i jepte para, në të kundërt do i publikonte videot. Po ashtu 19-vjeçarja mësohet se nuk ia dinte emrin e plotë të riut. Megjithatë mjaftoi shkurtimi i emrit të tij dhe numri i telefonit për të kallëzimin në polici… /tvklan.al