Një 17-vjeçar ra në pranga, ndërsa një 16-vjeçar u vu nën hetim në Malësi të Madhe, pasi u kapën me armë zjarri e sende të tjera të paligjshme.


Në zbatim të planit kombëtar të masave të koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale, si dhe për garantimin e sigurisë dhe të drejtave të shtetasve, Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet, sigurimin e inteligjencës informative dhe bashkëpunimin me qytetarët. Në këtë kuadër shërbimet e Komisariatit të Policisë, Malësi e Madhe vunë në pranga një 17-vjeçar dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, pasi dyshohet se posedonin 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 23 fishekë luftarakë, 1 maskë dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan nga shërbimet e Policisë”, tha policia e Shkodrës në një njoftim për rastin.

Po sipas kësaj të fundit, arma e zjarrit dhe sendet e tjera do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë të mëtejshme./tvklan.al