Ish-zyrtarja “kyç” gojën për akuzat e Prokurorisë

Në pritje të përballjes në Gjykatë me 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria e Tiranës, më e rënda prej tyre ajo e pastrimit të parave, ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi ka shfaqur probleme me shëndetin dhe është dërguar në spital.

Klosi i është nënshtruar kontrolleve dhe vijon të jetë e shtruar në QSUT në gjendje të stabilizuar, teksa Prokuroria e Tiranës do të dorëzojë në gjykatë kërkesën për vleftësimin e masës së “arrestit në burg”.

Përveç qëndrimit mohues për akuzat, ish-zyrtarja nuk ka pranuar të pyetet apo të japë versionin e saj për detaje të cilat janë rrëfyer nga sanitarja Rozeta Dobi, në një dëshmi të gjatë të premten.

Burime të Tv Klan thanë se pas ndalimit të Klosit, policia ka ushtruar kontroll në banesën e saj, ku nuk janë konstatuar prova që mund të ndihmojnë hetimet, teksa ende nuk janë kryer kontrolle në banesa të tjera të përmendura nga sanitarja në dëshminë e saj si shtëpi që ka pastruar dhe parë të qarkullonin para kesh.

Dëshmia e sanitares Rozeta Dobi, ktheu Alda Klosin nga viktimë e një vjedhje në një të akuzuar për mosdeklarim të pasurisë, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.

Sanitarja i tha hetuesve se vjedhja për të cilën u arrestua në fillim të Janarit ishte inskenim dhe se të gjitha vlerat monetare, përfshirë edhe 400 mijë Eurot e gjetura në banesën e saj ishin të Alda Klosit.

Tv Klan