“2 gisht mjaltë”, është komedia më e re romantike e Ermal Mamaqit, si aktor dhe si producent. 4 vite pas suksesit të komedisë “Femrat”, debutimi i “2 gisht mjaltë” në kinema qe një event i pazakontë. Me qindra njerëz u mblodhën për të parë premierën në 4 salla njëherësh.

“2 gisht mjaltë”, shënon edhe debutimin e Elvana Gjatës si aktore. E angazhuar me koncerte dhe projekte të reja, të cilat i ka prezantuar së fundmi, këngëtarja e diplomuar për regji, e priste prej kohësh këtë projekt kinematografik.

“Ka qenë e vështirë sepse unë kam qenë e angazhuar në koncerte të shumta, megjithatë për diçka që e do dhe që vlen për ty gjendet koha”,

tha Elvana Gjata.

Komedisë romantike nuk kishin si t’i mungonin edhe disa nga ikonat e komedisë shqiptare si Koço Devole, Mariana Kondi, Ervin Bejleri, Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Olta Daku, Eglein Laknori, Rezart Veleshnja, të cilët na rikujtuan se emërtimi komedi, nuk do të thotë një film i cekët.

“Mos kujtoni se është film për të qeshur dhe duket sikur nuk është përgjegjësi e jona, përkundrazi përgjegjësia është akoma dhe më e madhe. Ne duhej ta realizonim dhe të përshtateshim”,

tha Mariana Kondi.

Për produksionin dhe post-produksionin e “2 gisht mjaltë”, janë angazhuar një pjesë e ekipit të serialit turk “Sulejmani i Madhërishëm”, ndërsa regjinë, Ermal Mamaqi ia besoi Emir Khalilzadeh, regjisorit turk që ka drejtuar realizimin e klipit “Alabama” të Almeda Abazit.

“Është e vërtetë, ka qenë Almeda ajo që na ka bërë lidhjen me regjisorin turk. Jemi shumë të lumtur sepse ai është shumë profesional dhe na ka ndihmuar shumë”,

tregoi Mamaqi.

Humor dhe muzikë me në qendër një histori dashurie që nis me një njohje aspak tipike, vijon me një propozim superomantik, një ceremoni martese jo edhe aq tradicionale. Me një celebrim nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe një muaj mjalti që nuk shkon aspak sipas parashikimit “2 gisht mjaltë” është komedia që nuk duhet humbur.

/tvklan.al