Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi është prononcuar për mediat me mbarimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku u vendos miratimi i 2 komisioneve hetimore. Përkatësisht, ai për sistemin e të dhënave TIMS dhe për shërbimet në Shëndetësi. Te këto të fundit, siç sqaroi Çuçi, përfshihen “Sterilizimi” e “Check up-i”.


Më tej, ai bëri me dije se ka pasur dakordësi mes palëve për një platformë brenda Komisionit të Ligjeve.

Gjithashtu ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave dhe që kanë të bëjnë me integrimi europian. Me numër të barabartë anëtarësh, nuk ka të drejtë vetoje. Ka konsensus”, shpjegoi kryetari i grupit mazhoritar.

I pyetur se a ka ndryshuar qëndrim mazhoranca sa i takon komisioneve hetimore, Çuçi deklaroi: Jo nuk e kemi thënë ashtu, kemi thënë që duhet të rregullojmë objektin dhe kemi thënë që duhen bërë ca ndryshime në ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore, gjë që e kemi bërë.

“Janë duke punuar dhe me ekspertët e ODIHR-it, nëse ka konsensus do vazhdojmë!”, përfundoi ai për punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore./tvklan.al