Shoqata e ndërtuesve: Gati t’ia shesim qeverisë në kosto

Vetëm në qarkun e Durrësit stoku i apartamenteve të pashitura arrin në 2000. Arben Dervishaj, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve sqaron në një intervistë për televizionin Klan ofertën që shoqata i ka bërë në tryezë qeverisë.

Ai thotë se qëllimi nuk është fitimi, por shitja në kosto e banesave që kanë vite pa u shitur dhe gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë për familjet që janë jashtë.

Ndërtuesit shprehen të hapur jo vetëm për të negociuar çmimet, por edhe mënyrën e pagesës së qeverisë, e cila mund të jepet me këste brenda një afati prej 5 deri në 7 vjet. Kjo për të ulur nevojat për financim të shpejtë dhe rritjen e borxhit publik.

Shoqata thotë se po ashtu edhe ekspertimet e ndërtesave duhet të bëhen me kujdes dhe të mos shpallen të gjitha të pabanueshme. Për Arben Dervishaj, vetëm ato që kanë dëmtime në strukturë duhet të prishen, ndërsa për të tjerat përdoren përforcime.

Propozimi për të blerë banesa për banorët që kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti të apartamenteve stok që kanë mbetur të pashitura prej vitesh është pranuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do të diskutohet me këtë grup për të gjetur një zgjidhje.

Tv Klan