Kompania Emaar synon të investojë rreth 2 miliardë euro në Durrës. Këtë e konfirmoi në intervistën e dhënë për “Opinion” vetë kreu i kompanisë nga Dubai, Mohamed Alabbar, i cili tregoi më tepër rreth këtij projekti. Alabbar tha se projekti parashikon ndërtimin e marinës, portit, të godinave, hoteleve dhe rrugëve.

Blendi Fevziu: Cili është projekti juaj në Durrës, çfarë do të ndërtoni ju atje? Marinë, apartamente, hotele? Pra konkretisht cili është marterplani, ose ideja juaj?

Mohamed Alabbar: Dikur fokusoheshim tek ndërtesat, por jo nuk bëhet fjalë për to. Nëse shihni Burj Kalifan sot, nuk bëhet fjalë për ndërtesën, por shëtitjen që mund të bëjmë ne këtu me fëmijët tanë. Të shohim përreth dhe të themi, unë kam shpresa, të buzëqeshim dhe ta kuptojmë se jeta po bëhet më mirë. Do të ndërtojmë marinën, portin, godina, hotele, rrugë për të ndryshuar jetën e vendit dhe turizmit.

Blendi Fevziu: Mendoni se jeta në Durrës dhe në zonat përreth ku ju do të investoni do të jetë më e mirë, do të ndryshojë diçka?

Mohamed Alabbar: Kjo gjë më shtyn mua të punoj çdo ditë. Si ta përmirësojmë jetën. Dua të ecim dhe të themi: unë po jetoj vërtetë.

Blendi Fevziu: Po flisni për të gjithë panoramën, e cila padyshim është tepër interesante. Por unë kërkoj disa detaje, gjëra më të vogla mbase. Sa i madh do të jetë investimi juaj në Durrës.

Mohamed Alabbar: Jemi duke vlerësuar tek 2 miliardë euro.

Blendi Fevziu: 2 miliardë euro në Durrës? Ky është investimi më i madh që kemi pasur gjatë këtyre 10 viteve të fundit. Kjo hapësirë do të jetë vetëm për shqiptarët apo edhe të huajt? Cilit treg i drejtohet?

Mohamed Alabbar: Është një treg i hapur, por pjesa më e madhe vendas.

Blendi Fevziu: Por unë dua objektivin tuaj, synoni më shumë për shqiptarët apo të huajt?

Mohamed Alabbar: Mendoj se pjesa më e madhe do të jenë shqiptarë, por unë nuk mund të ndaloj dikë nga Bosnja, Kosova, Greqia, për shembull që dëshiroj të blejë këtu. Unë këtë projekt do ta promovoj edhe në Emirate dhe mund të vijnë edhe nga andej të blejnë./tvklan.al