Kanë kaluar dy muaj nga zhdukja në Shqipëri e Davide Pecorelli-t, sipërmarrësit 45-vjeçar italian nga San Giustino, i cili kishte ardhur në vendin tonë për të investuar në sektorin e estetikës. Megjithatë, zhdukja e tij është ende e mbushur me mistere, mbi të cilat hetimet bilaterale mes Prokurorisë Shqiptare dhe asaj Italiane po përpiqen të hedhin dritë.

Zhdukja e Davide Pecorelli: Pecorelli erdhi në Shqipëri më 3 Janar. Në Aeroportin e Rinasit mori me qira një makinë Skoda Fabia. Më 4 Janar iu drejtua Vlorës, sipas GPS, ku prej muajit Gusht kishte hapur një aktivitet, që vijon të operojë ende. Më pas kishte udhëtuar drejt Shkodrës, aty ku dyshohet se pati disa takime. Makina e tij qëndroi e parkuar për shumë orë. Më pas shkoi në Pukë, ku prenotoi për tre netë në një hotel, për datat 4-5-6 Janar. Më 6 Janar ishte edhe hera e fundit që u fut në WhatsApp, në orën 16:15. Ky është edhe momenti kur ai rezulton i zhdukur. Më 7 Janar, makina e tij u gjet në flakë, pak kilometra larg Pukës.

Hipotezat e hetuesve: Për momentin pistat për zhdukjen e Pecorelli-t janë ajo e vetëvrasjes, ku dhe sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, insistojnë hetuesit në Tiranë. “Asnjë shenjë gjaku, të shtënash apo dhune në vendngjarje“, e mesa duket “asgjë që mund të ngrejë dyshime” në tabulatet telefonike. Pista tjetër është ajo e vrasjes, ndoshta pas një grabitjeje të mundshme, pistë kjo ku po heton Prokuroria e Perugia-s, ndonëse nuk është përjashtuar plotësisht tentativa e mundshme e 45-vjeçarit për të humbur gjurmët, me qëllim që të përfitonte nga siguracioni i jetës.

Makina në flakë, ende të panjohura shkaqet: Një mister tjetër i madh mbetet shkaku i zjarrit në makinën Skoda Fabia, që deri më sot nuk është zgjidhur ende, ndonëse policia shqiptare, me anë të ekspertit të saj piroteknik insiston se mjeti ka marrë flakë në mënyrë aksidentale. Në brendësi të makinës u gjetën bishta cigareje dhe një valixhe e mbushur me produkte kozmetike, me rrezik të lartë për të marrë flakë, që mund të kenë ndihmuar në përhapjen e zjarrit. Skeleti i makinës së shkrumbuar ndodhet në komisariatin e Pukës, ku në fund të Janarit ishte dhe vendtakim mes hetuesve shqiptarë dhe italianë, si dhe të ekspertëve shkencor.

Banori i zonës: Ai që duket se i trazoi disi gjërat ishte dëshmitari i vetëm okular, i djegies së Skoda-s. Personi i njëjtë që njoftoi dhe policinë. 53-vjeçari, banor i zonës, i tha policisë së nuk kishte parë dhe as dëgjuar askënd të bërtiste brenda makinës në flakë. “Njoftova policinë sepse mund të kishte njeri brenda”, tha ai. “Erdhën rreth 30 minuta më vonë. Gjatë kësaj kohe nuk kam ndjerë asnjë aromë të pazakontë, përveçse të gomave që digjeshin”.

Kockat njerëzore dhe pritja për ADN-në: Një dëshmi kjo e fundit që mund të vejë edhe më shumë në dyshim faktin se Davide ishte brenda makinës, e në vetvete atë të vetëvrasjes, pasi është e vështirë të mendosh që dikush të digjet për së gjalli brenda në makinë. Megjithatë mbetet për të kuptuar të kujt janë kockat e njeriut, rreth 5 përqind e një trupi, të gjetura në sediljen e makinës. Por për këtë vetëm përgjigja e shumëpritur e ADN-së mund të hedhë dritë dhe mund të përbëjë një kthesë vendimtare në hetime. Kockat janë dërguar prej kohësh në Itali për t’i krahasuar me profilin genetik të vëllait të Davide-s. Për të mos harruar se brenda në makinë u gjet edhe një orë dhe një telefon, të dyja në pronësi të Pecorelli-t. Për habi këto sende nuk ishin shkrumbuar, ndonëse flakët ishin kaq të mëdha sa për të djegur një trup të tërë njeriu.

Sekuestrimi i dyqaneve: Hetuesit ndërkohë vijojnë të gërmojnë edhe mes kontakteve të punës dhe ortakët e sipërmarrësit, themelues i disa qendrave estetike e madje edhe drejtuesi i një hoteli në Lama, në San Giustino. Më 28 Janar, një prej dyqaneve të Davide-s “Parruchieri Milano”, në Sansepolcro, u sekuestrua nga autoritetet për shkak të falimentit. Por edhe në këtë rast mbetet e paqartë nëse ky sekuestrim ka lidhje me zhdukjen e tij.

Autoritetet shqiptare: Verifikoni llogaritë dhe tabulatet e Davide Pecorelli-t:Mediat fqinje shkruajë se autoritetet shqiptare kanë nisur drejt Italisë një letër ku u kërkohet kolegëve të tyre që të verifikojnë të gjitha llogaritë bankare të Davide Pecorelli-t dhe transaksionet bankare që 45-vejçari mund të ketë bërë me një shtetas shqiptar. Autoritetet kërkojnë të dinë sasinë e parave që Pecorelli kishte me vete në momentin që u nis për Shqipëri. Në letër kërkohet edhe verifikimi nga ana e kompanive telefonike italiane të të gjithë numrave dhe kontakteve të tij me numra shqiptarë. 

Autoritetet italiane kanë marrë disa herë në pyetje partneren shqiptare të Pecorelli-t e cila ka përsëritur se Davide nuk kishte armiq./tvklan.al