Janë të paktën 2 persona që janë identifikuar nga autoritet shqiptare në kampet siriane, por që nuk kanë pranuar tëkthehen. Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të diel se nga informacionet në rrugë inteligjente këta persona janë pengje dhe kanë frikë që të kthehen pasi mund të vriten në momentin e shkëputjes.

“Deri tani janë shfaqur raste sporadike do thosha, dy raste që i njohim personash dhe nuk mund të bëj emra apo të jap identitete personash që janë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë persona që janë pengje. Janë pengje brenda kampeve. Janë persona që nuk kthehen dot se kanë frikë, dhe frikën e kanë të bazuar në faktin se gjatë momentit të shkëputjes mund t’ju marrin jetën, kështu që në dijeninë tonë, janë dy persona që kanë refuzuar, pra që janë identifikuar, por nuk kanë bërë hapin për t’u paraqitur”, tha Rama.

19 bashkatdhetarë, gra dhe fëmijë, u riatdhesuan këtë të diel nga kampet siriane. Ky është operacioni i tretë që realizohet në bashkëpunim mes ministrisë tonë të Brendshme dhe autoriteteve libaneze e shërbimet sekrete të disa vendeve partnere për të shpëtuar shtetasit shqiptarë që mbahen peng në këtë kamp. Më parë është mundur të riatdhesohet Alvin Berisha dhe më pas edhe Floresha Rasha dhe 4  fëmijë të tjerë./tvklan.al