Policia: Fshehën 2 pistoleta pas ngjarjes

Mehmet Muça, 33 vjeç dhe Amadeus Lamçja, 40 vjeç, janë dy personat e tjerë të arrestuar për vrasje e Florjan Lamçes, mëngjesin e 30 Korrikut në Elbasan.

Mehmet Muça dhe i afërmi i viktimës, Amadeus Lamçja, dyshohet se kanë fshehur provat në vendin e ngjarjes, si dhe kanë dhënë dëshmi të rreme në Polici.

Burime nga Policia Elbasanit thanë se dy të rinjtë kanë qenë të pranishëm në momentin kur ndodhi sherri mes Sokol Sanxhaktarit, Adriano Hajdarit dhe Florian Lamçes.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur 3 gëzhoja, por asnjë armë. Kjo ka bërë që grupi hetimor të kërkojë për persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Nga hetimet rezultoi se Mehmet Muça dhe Amadeus Lamçja kanë fshehur dy pistoleta që dyshohet se u përkisnin Sanxhaktarit dhe Lamçes.

Armët ende nuk janë gjetur dhe sipas policisë, dy të rinjtë, shok të Sokol Sanxhaktarit, kanë gënjyer në dëshminë e tyre dhe nuk kanë treguar se ku i fshehën pistoletat.

Për vrasjen e Florian Lamçes, janë arrestuar Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari, për të cilët gjykata nuk ka pranuar t’i nxjerrë nga qelia.

Tv Klan