Ministri Sandër Lleshaj bën bilancin për 2019-n

Prioritet kryesor për Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për vitin 2020-të do të jenë lufta kundër krimit të organizuar dhe sigurisë rrugore.

“Krimi i organizuar është prioriteti numër 1. Personat, që janë dënuar për veprimtari në fushën e krimit të organizuar, të krimeve të rënda, të korrupsionit etj., pra janë disa nene të Kodit Penal, nëqoftëse janë dënuar për këto vepra, Policia ka detyrën t’i shkojë dhe t’i trokasë në derë, t’i thotë: – ti ke bërë 10 vjet (burg) për trafik droge? Po. Ke dhe këtë hotelin këtu. Tani, hoteli sekuestrohet, i vihet shiriti dhe ti shkon në gjykatë dhe provoje që është i yti. Prioriteti numër 2, siguria rrugore! Siguria rrugore na vret më shumë njerëz se sa krimi i organizuar. Do të ndryshojmë Kodin Rrugor, do të ashpërsojmë masat, do të ashpërsojmë kontrollet”.

Lleshaj kërkoi nga gjithë strukturat policore angazhim të fortë për luftën kundër trafiqeve dhe kontroll të rreptë të territorit. Ai paralajmëroi se masat për luftën kundër kanabisit do të nisin që në ditët e para të Janarit.

Lleshaj tha ndër të tjera se do të ngrihen 4 njësi të posaçme në Policinë e Shtetit, me ekspertët më të mirë, për të luftuar krimin kompjuterik, atë ekonomik si dhe kapjen e personave në kërkim.

Tv Klan