Dy shqiptarë janë vënë në pranga pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme kokaine në Itali. 14 kilogramë drogë kishin ata, ndërkohë që identiteti i tyre nuk është bërë ende publik. Mësohet se ata e kanë transportuar lëndën narkotike nga Belgjika drejt Italisë, ndërkohë që kanë udhëtuar edhe nëpërmjet Gjermanisë dhe Francës.

Operacioni i kapjes së dy trafikantëve ishte në fakt pjesë e një aksioni ndërkombëtar policor. Siç shkruan agjencia e lajmeve ANSA, dy shqiptarët ishin pjesë e një grupi ndërkombëtar të dedikuar në trafikimin e drogave.

Aksioni për kapjen e shqiptarëve u krye në mëngjes herët në Rimini pas urdhër-arrestit ndërkombëtar nga policia gjyqësore federale belge. Ky operacion vjen pas një hetimi të gjatë të kryer nga autoritetet belge ku në Dhjetor 2020 shkatërruan një grup kriminal shqiptar, të bazuar në Grimbergen që merrej me trafikun e kokainës.

Ata e siguronin drogën në Kolumbi dhe e shpërndanin në territorin belg. Nga këtu, sasia e kokainës mund të shkonte në Gjermani, Francë dhe Itali duke përdorur mekanizma të ndryshme të përshtatura për të fshehur drogën./tvklan.al