I nxehti përvëlues ia ka lënë vendin rrebesheve të shiut dhe përmbytjeve në Itali. Këto filmime janë bërë në fshatrat e Kazertës në jug të vendit, ku 2 persona rezultojnë të zhdukur nga moti i keq që i shndërroi rrugët në lumenj të furishëm llumi e balte që morën me vete edhe automjete.

Ekipet e emergjencës janë në kërkim të dy personave, një 74-vjeçareje dhe të birit, të cilët udhëtonin me një tricikël kur u gjendën mes ujërave të lumit që kishte dalë nga shtrati në fshatin e tyre San Feliçe e Cancello, 30 kilometra në verilindje të Napolit. Mjeti i tyre u gjet mes llumit dhe baltës, por trupat e tyre mendohet se ujërat i kanë zhvendosur larg.

Vala e motit të keq është zhvendosur në jug të Italisë, pasi në fillim të kësaj jave, reshjet e dendura të shiut e breshrit dhe, si dhe erërat e fuqishme shkaktuan jo pak probleme në shumë qytete të veriut. Fenomenet e motit po ashpërsohen si pasojë e ngrohjes globale.

Tv Klan