Takimi i liderëve politikë në gjysmën e parë të Majit

Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar për 41 raste të reja të diagnostifikuar me COVID-19 që çon nëumrin e përgjithshëm të të prekurve në 1367. Numri i viktimave ka shkuar në 59. Raportohet edhe për dy persona që kanë ndërruar jetë.

Bëhet fjalë për një 35-vjeçar nga rajoni i Gostivarit, që përveç obezitetit nuk ka patur histori tjera sëmundjesh dhe një 23-vjeçar nga Shkupi me sindromën doën, që paraqet rastin e parë të këtillë në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, shënohet fundjava e parë me masa lehtësuese të orës policore.

Nga ana tjetër, Presidenti Stevo Pendarovski ka pranuar sfidën e VMRO-DPMNE-së opozitare. Në gjysmën e parë të Majit planifikon të organizojë takim liderësh ku do të bisedohet për ballafaqimin me pandeminë e COVID-19, situatën e jashtëzakonshme por edhe për terminet e mundshme për zgjedhjet parlamentare.

Në qarqe të ndryshme partiake përmenden datat 28 Qershor dhe 5 Korrik, me vlerësime se deri atëherë do të tejkalohet nevoja për situatë të jashtëzakonshme. Zyrtarisht, për të gjitha partitë dhe institucionet, çështja prioritare mbetet shëndeti i qytetarëve dhe lufta me koronavirusin.

Klan Macedonia