Mbetjet e tragjedisë ende kërcënim për banorët

Porti i Bejrutit nuk gjen qetësi edhe 2 vite pas shpërthimit tragjik që i mori jetën 218 personave e që dëmtoi gati gjysmën e kryeqytetit libanez. Ky filmim tregon momentet kur disa nga mbetjet e depozitës së drithit që u dëmtua rëndë nga shpërthimi i madh u shembën duke krijuar një re të madhe tymi, që u riktheu banorëve shijen e hidhur të ngjarjes së 4 Gushtit 2020.

Shembja nuk shkaktoi të lënduar apo viktima. Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar edhe më herët rrezikun që kanë këto mbetje, qoftë për shembje të tilla të papritura, por edhe për zjarre që mund të nxisë vapa e kësaj vere, në vendin ku ka sasi drithi të magazinuara dy vite më parë ndodhen ende atje.

Autoritetet e kanë të pamundur ta pastrojnë zonën, ku mund të ketë mbetje edhe të nitratit të amonit, që shkaktoi tragjedinë e 2020-ës dhe që renditet mes shpërthimeve më të mëdha jo-bërthamore të regjistruara.

Ende nuk dihen shkaqet e atij shpërthimi të mbi 2.7 mijë tonëve pleh kimik, që la mbi 300 mijë banorë të pastrehë dhe që zhyti në krizë të thellë ekonomike Libanin.

Tv Klan