Drejt përfundimit banesat individuale, po ndërtohen dy blloqe të reja banimi

Gjurmët e tërmetit të fortë të 26 Nëntorit në Durrës nuk janë zhdukur ende. Qyteti është kthyer në kantier ndërtimi. Megjithatë puna ende nuk ka përfunduar sepse sipas kryetares së bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, procesi nuk ka qenë i lehtë.

Puna ka ecur më mirë në ndërtimin e banesave individuale.

“Kanë përfunduar 214 banesa individuale në njësitë administrative. Paralel kanë qenë 120 familje që kanë preferuar të marrin grantin e rirndërtimit të plotë për ta rindërtuar vetë banesën e tyre dhe ne kemi likuiduar 60% të këtij granti për 100 banesat e para”.

Blloqe të reja banimi po ndërtohen në Manëz dhe Spille.

“Kryesisht Durrësi ka pasur një specifikë të kërkuar nga vetë qytetarët dhe ne i jemi përgjigjur kësaj specifike ku banorët kanë kërkuar ndërtimin e banesës në truall. Sa i takon Manzës preferuam që meqenëse kishim një pronësi publike shumë pranë objekteve të shembura, preferuam të ndërtonim një lagje të re e cila do t’i shërbente jo vetëm banorëve të kësaj zonë por do të kishte edhe infrastrukturë ndihmëse, qendra ditore për të moshuarit dhe çerdhe e kopshte. Faza e punimeve është shumë e avancuar dhe jemi drejt mbylljes së dy pallateve të para për të cilat kemi bërë edhe shoorteun e familjeve përfituese, një shorte publik”.

Puna është përqendruar edhe te riforcimi i pallateve me dëmtime.

“Paralel me grantet e rikonstruksionit,ne kemi realizuar riparimin e ambienteve të përbashkëta për këto 405 pallate duke bërë të rikthehen në banesat e tyre rreth 4000 familje”.

Sipas të dhënave nga bashkia e Durrësit ka përfunduar rindërtimi i 14 objekteve arsimore ndërsa 17 të tjera janë ende në proces.

Klan News