Veliaj: Tirana bujare mikpret Presidentin Zelensky

Në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas, në Tiranë u mbajt një manifestim në 2-vjetorin e fillimit të sulmit rus.

Ftesës së kryebashkiakut Erion Veliaj iu bashkuan ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, i ngarkuari me punë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, David Wisner si dhe përfaqësues nga klasa politike shqiptare.

“Jam krenar që sot BE, SHBA, vendet anëtare të NATO-s, gjithë kolegët që janë këtu, i është bashkuar edhe një pjesë e jashtëzakonshme e komunitetit të qytetarëve të Tiranës. Sepse besoj që kjo nuk është një punë e atyre që merren me politikë dhe diplomaci. Kjo është puna dhe një detyrim moral e çdo qytetari evropian”.

Veliaj bëri me dije se javën tjetër Tirana do të mikpresë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Tirana do të përgatitet për të mikpritur presidentin, Volodymyr Zelensky, që do të jetë këtu për samitin javën tjetër. Kështu që jo vetëm një rrugë që quhet nga Bashkia e Tiranës “Ukraina e lirë”, por e gjithë Tirana do të ndihet si ky toponim, një Ukrainë e Lirë”.

Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov dhe diplomatët e BE dhe SHBA falenderuan Shqipërinë që i ka qëndruar pranë Ukrainës. 

“Ne po mbrojmë popullin ukrainas falë sistemit të mbrojtjes ajrore dhe ndihmës së dhënë nga partnerët tanë. Uroj dhe ukrainasit që jetojnë në Shqipërinë. Jam mirënjohës për qeverinë shqiptare që ka zgjatur rezidencën e tyre dhe mbrojtjen për këta qytetarë që ishin të detyruar për të lënë atdheun e tyre. Falenderoj popullin shqiptar për ndihmën e madhe që kanë dhënë për popullin ukrainas”, tha ambasadori i Ukrainës.

“Vlerësoj Shqipërinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme ndaj popullit ukrainas në dy vitet e fundit. Nga roli si bashkë pengmbajtës në Këshillin e Sigurimit, tek të qenit një partner i vërtetë i Ukrainës sa i përket gjithë mbështetjes së madhe humanitare, Shqipëria ka qenë një partner fenomenal i popullit ukrainas”, u shpreh i Ngarkuari me Punë i SHBA, David Wisner.

Që prej agresionit rus, mbi 2500 ukrainas janë strehuar në vendin tonë.

Tv Klan