Miopia është kthyer në një shqetësim gjithnjë e në rritje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë globin veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët. Ekspertët e shëndetit publik dhe okulistët e lidhin këtë rritje të problemit me miopinë me përdorimin e tepruar të pajisjeve digjitale si telefonat dhe tabletët, veçanërisht në moshat e reja.

Përveç kësaj, mungesa e ekspozimit ndaj dritës natyrale dhe qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura janë faktorë të tjerë që ndikojnë në problemet me shikimin.

Gazetarja e shëndetit Doreada Mio e ftuar në emisionin e “Shije Shtëpie” në Tv Klan tha se një ndikim për zhvillimin e miopisë ka luajtur edhe Covid-19. Sipas saj, karantina krijoi një stil tjetër jetese, ku njerëzit përqafuan gjithnjë dhe më shumë teknologjinë.

“Si gazetare shëndeti në morinë e viteve më është dashur që ta prek dhe ta trajtoj shpesh këtë fenomen. Në një dekadë pas përveçse vihet re një numër patjetër shumë më i madh i fëmijëve dhe të rriturve që kanë nevojë për syze, mbase ia vuri vulën edhe pandemia që ne kaluam. Covidi na detyroi që të rrinim më gjatë në tableta, në ekrane dhe në celularë, duke na krijuar një mënyrë të re jetese. Por nga ana tjetër fëmijët duke parë prindërit që e kalojnë shumicën e kohës në celular, u krijua dhe modeli i ri që iu dha prindërve dhe e gjitha kjo bën që përveç atyre rasteve të lindura apo të trashëguara  ne të kemi edhe të gjitha këto rastet e tjera.”

Për të gjithë ata që për një arsye apo tjetër, qëndrojnë për një kohë të gjatë para ekranit, kompjuterit, tabletit e shumë të tjerë, gazetarja tregon një metodë të thjeshtë dhe shumë efikase që ndihmon në çlodhjen e syve.

“Unë kam një metodë që e praktikoj prej shumë vitesh, “20-20-20”. Çdo 20 minuta që ti rri në ekran duhet të rrish 20 sekonda në dritë dhe të shikon 20 metra larg.”/tvklan.al