Numër i lartë pacientësh në spitalet Covid

Numri i viktimave që humbën jetën nga koronavirusi vijon të jetë në shifrat më të larta që prej nisjes së pandemisë. 20 persona nuk mundën t’i bëjnë ballë infektimit me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit. 7 nga qytetarët ishin nga Tirana, 4 nga Durrësi, 2 nga Elbasani, 2 nga Kurbini, 2 nga Saranda, ndërsa qytetarët e tjerë i përkisnin Shkodrës, Lushnjes dhe Vlorës. Prej nisjes së pandemisë numërohen 1756 jetë të humbura në vend.

I lartë mbetet edhe numri  i infektimeve të reja, edhe pse me një rënie të lehte nga një ditë më parë. Sipas autoriteteve shëndetësore  nga 3689 testime gjatë 24 orëve të fundit, rezultuan pozitiv me Sars-Cov2, 916 raste, 70 më pak sesa të enjten. Alarmi i kuq qëndron i ndezur për kryeqytetin me 445 raste, e ndjekur nga Vlora me 44, Fieri dhe Kavaja me 35 dhe Durrësi me 30 raste të reja.

Tepër shqetësuese paraqitet situata në të gjitha spitalet Covid, pasi numri i lartë i të shtruarve po ezauron kapacitetet e tyre. Numri total i shtretërve është 841, ndërkohë që aktualisht raportohet për 625 pacientë të hospitalizuar. 60 prej të shtruarve po trajtohen në Durrës, ndërsa 31 të tjerë në Elbasan e Shkodër. Raportohet se 46 pacientë ndodhen në terapi intensive nga të cilët 12 të intubuar. Sa i përket rasteve aktive me Sars-Cov 2,  numri i tyre është mbi 35 000 në të gjithë vendin.

Tv Klan